100% nga pika e bardhë, vetëm një lojtar i Inter më mirë se Calhanoglu
Hakan Calhanoglu duket si “arma” plus e Interit të këtij sezoni. Trajneri Simone Inzaghi vendosi t’i besojë rolin e regjizorit në fushë duke e tërhequr disa metra më pas nga pozicioni i fantazistit ku aktivizohej më parë turku.
Calhanoglu nuk zhgënjeu dhe tashmë bën të funksionojë në perfeksion mekanizmin zikaltër.
Një tjetër aspekt në të cilin ish-lojtari i Milan bën diferencën, janë edhe goditjet e penalltisë. Në radhët e Inter e kanë gjetur lojtarin e duhur për t’u paraqitur nga 11-metrat me Calhanoglu që nuk gabon kurrë, të paktën deri në këtë moment. Janë 12 penalltitë e goditura nga 29-vjeçari dhe janë po 12 golat e shënuar me Calhanoglu që në të gjitha rastet ia del të tundë rrjetën e kundërshtarëve. Më mirë se Calhanoglu te Inter ka bërë vetëm Romelu Lukaku që ka realizuar 19 penallti nga 19 të goditura.
Në fakt, nëse i rikthehemi historisë Calhanoglu e ka humbur një penallti me Interin, por ajo nuk është e regjistruar në statistika. Arsyeja? Më datë tre prill të vitit 2022, turku gaboi përballë Szczesnyt në Allianz Stadium, mirëpo arbitri Irrati vendosi që penalltia të përsëritej pasi De Ligt ishte futur para kohe në zonë.
Në tentativën e dytë, Calhanoglu nuk gaboi dhe shënoi me Inter që fitoi atë ndeshje pikërisht falë golit të turkut. Sa i takon historisë së goditësve të Inter nga pika e bardhë, Icardi ka realizuar 21 nga 27 penallti të goditura, Ibrahimovic 10 nga 11, Milito 15 nga 19, Eto’o 8 nga 9, Adriano 7 nga 11, Lautaro 13 nga 19, Altobelli 36 nga 41, Matthaus 22 nga 26, Boninsegna 31 nga 32, Viera 14 nga 17, Ronaldo 15 nga 18 dhe Djorkaeff 14 nga 16.