“100 fitore bashkë”
Ka arritur një gur kilometrik në karrierë dhe ndeshjen e fundit me Atalantën e luajti të mërkurën mbrëma, kur fitoi në fushë të huaj ndaj Veronës me një gol të vetëm.
Dhe Berat Gjimshiti vazhdon të gëzojë besim të madh nga drejtuesit e klubit, që kur i është bashkuar Atalantës në vitin 2016.
Fitorja ndaj Veronës ishte e rëndësishme për skuadrën bergamase, që mbetet në pjesën e sipërme të renditjes së Serisë A, kurse për futbollistin e Kombëtares kuqezi, ishte fitorja e 100-të me fanellën e skuadrës me të cilën ka kontratë deri në vitin 2026.
“100 vittorie insieme, 100 wins together”, ka shkruar klubi i Atalantës të premten në rrjetet sociale, duke e postuar një fotografi të Gjimshitit, i cili ka zhvilluar gjithsej 192 ndeshje me këtë fanellë, duke shënuar 7 gola e duke dhënë edhe 7 pasiome për gol.
Fitorja në Verona ishte një mesazh i fortë për Atalantën, në pritje të ndeshjes me Juventusin, me Berat Gjimshitin, i cili ishte një prej më të mirëve në fushë për skuadrën e tij dhe ndër më të motivuarit në pritje të ndeshjes me bardhezinjtë.
“Në këtë periudhë është shumë e vështirë që të përgatisim ndeshjet, sepse kalendari është tepër i ngjeshur. Me të mbaruar një takim duhet të mendosh për tjetrin, madje edhe për Juventusin vlen i njëjti argument, duke qenë se pas tyre menjëherë më pas jemi të impenjuar në Ligën e Evropës. Juventusi është një klub i madh, por ne kemi treguar në vitet e fundit se dimë se si t’i bëjmë keq dhe duam që t’i mundim edhe këtë herë. Për ne është e rëndësishme që të bëjmë një rezultat pozitiv me Juven, sepse menjëherë më pas kemi duelin me Lacion, ndaj nuk do të jetë aspak një muaj i lehtë që na pret, deri te ndeshjet me Kombëtaren”, tha Gjimshiti.
Atalanta ndodhet në vendin e 4-t pas 7 javëve të para të Serisë A, me 12 pikë, 3 më pak sesa dyshja kryesuese, Interi dhe Milani.