
100 ditët e para në detyrë si President i SHBA, Trumpit ka mbështetje më të ulët në 7 dekada
Vlerësimi për Presidentin e SHBA-së Donald Trump është më i ulëti për çdo president të sapozgjedhur gjatë 100 ditëve që daton të paktën që nga Dwight Eisenhower në 1953 – duke përfshirë edhe mandatin e parë të vetë Trump.
Sipas një sondazhi të CNN, vlerësimi për Trump është vetëm 41%, më i ulëti për 100 ditët e para.
Sipas sondazhit Trump po performon më keq se në mandatin e tij të parë.
Vlerësimi për punën e tij ka rënë me 4 pikë përqindjeje që nga marsi dhe me 7 që nga shkurti. Vetëm 22% thonë se e miratojnë plotësisht mënyrën se si e trajton situatën, ndërsa 45 % thonë se nuk janë dakord me mënyrën si ai po vepron.
Vlerësimi i miratimit të presidentit midis grave dhe votuesve hispanikë ka rënë me 7 pikë, ndërsa mbështetja midis të pavarurve ka rënë gjithashtu në 31%, një nivel i ngjashëm me nivelet më të ulëta të mandatit të tij të parë.
Një sondazh tjetër, Washington Post dhe Ipsos tregon gjithashtu se mbështetja për Trump është në nivele të ulëta, në vetëm 39%.
Në sondazhe përmendet shqetësimi i qytetarëve amerikan për politikat ekonomike të Trump, që kanë shkaktuar frikën e një recesioni.
Shtatëdhjetë e dy përqind thanë se mendojnë se është shumë ose disi e mundshme që politikat e tij ekonomike të shkaktojnë një recesion në afat të shkurtër.
Shtatëdhjetë e tre përqind thanë se ekonomia është në gjendje të keqe, 53% thanë se është përkeqësuar që kur Trump mori detyrën dhe 41% thanë se financat e tyre janë përkeqësuar.
Shumica e amerikanëve (57%) besojnë gjithashtu se diplomacia e Trump e vë vendin në rrezik. Lëvizjet e tij në politikën e jashtme – duke përfshirë një qëndrim më miqësor ndaj Rusisë dhe një shkurtim të programeve të ndihmës së huaj, vlerësohen vetëm nga 39% e të anketuarve. /rtsh/