10 mijë euro apo burg deri në 8 vite për përdorim të armëve në festa
Policia Rajonale e Ferizajt njofton se në kuadër të planit operativ ‘’Sezona e verës 2024’’ kanë shtuar prezencën në ambiente të hapura, në sheshe, në afërsi të lokaleve të ndryshme ku mbahen organizime festive, dhe se kanë filluar shpërndarjen e disa fletëpalosjeve dhe posterëve me moton ‘’ Festo me zemër, jo me armë ‘’ me disa porosi.
Ndërsa, apelojnë tek qytetarët që të bëjnë kujdes për sigurinë e tyre dhe të tjerëve, me theks të veçantë që përdorimi i armëve në festa dhe gëzime mund të shndërrohet në tragjedi, Është e ndaluar dhe sanksionohet me ligj gjuajtja me armë zjarri, përveç në vendet e caktuara dhe të licencuara për gjuajtje ( poligonet e gjuajtjes ). Përdorimi i armës gjatë festave përbën vepër penale të ‘’Shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm’’, ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’, si dhe ‘’Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm’’. Për këto vepra penale parashihet dënim me gjobë 10.000 euro, apo dënim me burg 1 deri 8 vite.
Policia Rajonale e Ferizajt është e fokusuar në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike në mbarë rajonin e Ferizajt për sigurinë e secilit qytetarë, andaj ftojnë qytetarët të bashkëpunojnë me policinë.
“Sa herë që kanë informacione për veprat që cenojnë sigurinë e qytetarëve, të njoftojnë menjëherë stacionin më të afërt të policisë, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406. Policia do të reagojë menjëherë”, thuhet në thirrjen e policisë. /rtk/