𝐃𝐚𝐧𝐢𝐥𝐞𝐯𝐢𝐜𝐢𝐮𝐬: 𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯𝐚, 𝐞 𝐩𝐚𝐫𝐚 𝐧ë 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩ë 𝐦𝐞 𝐚𝐤𝐚𝐝𝐞𝐦𝐢 𝐩ë𝐫 𝐝𝐣𝐞𝐦 𝐝𝐡𝐞 𝐯𝐚𝐣𝐳𝐚, 𝐬𝐡𝐞𝐦𝐛𝐮𝐥𝐥 𝐩ë𝐫 𝐯𝐞𝐧𝐝𝐞𝐭 𝐞 𝐭𝐣𝐞𝐫𝐚 𝐭ë 𝐫𝐚𝐣𝐨𝐧𝐢𝐭

𝐃𝐚𝐧𝐢𝐥𝐞𝐯𝐢𝐜𝐢𝐮𝐬: 𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯𝐚, 𝐞 𝐩𝐚𝐫𝐚 𝐧ë 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩ë 𝐦𝐞 𝐚𝐤𝐚𝐝𝐞𝐦𝐢 𝐩ë𝐫 𝐝𝐣𝐞𝐦 𝐝𝐡𝐞 𝐯𝐚𝐣𝐳𝐚, 𝐬𝐡𝐞𝐦𝐛𝐮𝐥𝐥 𝐩ë𝐫 𝐯𝐞𝐧𝐝𝐞𝐭 𝐞 𝐭𝐣𝐞𝐫𝐚 𝐭ë 𝐫𝐚𝐣𝐨𝐧𝐢𝐭

Konsulenti teknik rajonal i FIFA-s, Tomas Danilevicius, e vlerësoi lart punën e bërë nga FFK-ja gjatë dy viteve të fundit në kuadër të Talent Development Scheme, duke theksuar se Kosova tashmë ka arritur një pikë të rëndësishme në zhvillimin e këtij projekti.

Ai tha se vetëm dy vjet pas përfshirjes së Kosovës në program, sot mund të flitet me krenari për krijimin e mundësive për të gjithë talentet e rinj, ndërsa theksoi pozitën e veçantë që ka Kosova në Evropë dhe në botë.

“Mund të themi se sot, në vitin 2026, vetëm dy vjet më vonë, mund të jemi krenarë se të gjithë djemtë dhe vajzat në Kosovë do ta kenë mundësinë të zhvillohen. Siç e përmendi edhe presidenti Ademi, kjo është akademia e tretë e këtij lloji në Evropë dhe e 15-ta në botë. Por, zoti President, do të thosha se Kosova është e para në Evropë që e ka akademinë edhe për djem edhe për vajza”, tha ai.

Danilevicius vuri në pah se ky është një moment i rëndësishëm jo vetëm për FFK-në, por për të gjithë futbollin kosovar, pasi mundësia për zhvillimin e talenteve po zgjerohet te të dyja gjinitë.

Ai e konsideroi këtë arritje si dëshmi të punës së përbashkët ndërmjet FIFA-s dhe FFK-së, duke nënvizuar se akademia është vetëm hapi i parë i një procesi që pritet të sjellë rezultate të rëndësishme në vitet e ardhshme.

Më pas, Danilevicius theksoi se synimi është që “FIFA Talent Academy Kosova” të shndërrohet në një pikë referimi për rajonin, duke besuar se përvoja e Kosovës mund të shërbejë si model edhe për federatat e tjera të Ballkanit.

Danilevicius falënderoi edhe prindërit, trajnerët dhe futbollistët e rinj, duke u uruar këtyre të fundit një të ardhme të ndritur dhe duke shprehur dëshirën që gjenerata e re të arrijë edhe më shumë sesa gjenerata e artë e futbollit kosovar.

Ai e mbylli fjalën me një mesazh optimist për të ardhmen: “Dita e inaugurimit është e rëndësishme, por e ardhmja pritet të jetë edhe më e mirë”, tha ai.

Share This